Aktualitetet e anetareve

Komunikim- Shtypi

Tatimet sqarojnë, ja furnizimet që tatohen me zero TVSH

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikuan një udhëzues që sqarojnë biznesin për furnizimet me mallra që tatohen me shkallë zero TVSH-je.

Bazuar në nenin 57 të Ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, trajtohen si furnizime me shkallë zero të TVSH-së furnizimet si më poshtë:

  1. a) Furnizimi i mallrave të dërguara ose të transportuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Eksportet e mallrave duhet të vërtetohen dhe dokumentohen me dokumentacionin doganor të eksportit, siç është parashikuar në legjislacionin përkatës.

Nuk përfitojnë nga trajtimi me shkallën zero të TVSH-së mallrat e transportuara prej personave të tatueshëm, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për t’u përdorur për pajisjen apo furnizimin e anijeve turistike, mjeteve fluturuese private apo të çdo lloj mjeti tjetër transporti të përdorur për përdorim privat. Këto mallra nuk i nënshtrohen procedurave të eksportit.

  1. b) Furnizimi i shërbimit të përpunimit të mallrave jo-shqiptare të kryera nga eksportuesi, të klasifikuara nën regjimin e përpunimit aktiv (punët fason) shërbime, të cilat i shtojnë vlerën mallit të përpunuar të destinuara për t’u ri-eksportuar.

Sigurohet trajtimi me shkallën e TVSH-së 0 % për shërbimin e përpunimit të mallrave jo-shqiptare në regjim përpunimi aktiv në faturën e lëshuar nga operatori eksportues, faturë e cila i bashkëngjitet deklaratës doganore të ri-eksportit të këtyre mallrave.

  1. c) Furnizimi i shërbimeve të lidhura drejtpërdrejtë me importimin e mallrave në Shqipëri, vlera e të cilave bazuar në nenin 44 të ligjit, përfshihet në vlerën e tatueshme të mallrave të importuara dhe si të tilla tatohen në momentin e importit.

Të tilla janë shpenzimet dytësore, të tilla si shpenzimet e ambalazhimit, të transportit që ndodhin deri në momentin e hyrjes së mallit në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, cilado qoftë mënyra e transportit të përdorur.

Nuk përfshihen në këto shërbime, shërbimet e përjashtuara nga TVSH sipas neneve 51 dhe 53 të ligjit, kur bëhen pjesë e vlerës së tatueshme në import.

  1. d) Eksporti i mallrave jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, prej organizatave jofitimprurëse si pjesë e veprimtarisë së tyre humanitare, bamirëse jashtë Shqipërisë në kuadër të marrëveshjeve të posaçme. TVSH e paguar në blerje për këto mallra, të destinuara për eksport për përmbushjen e qëllimit bamirës të tyre, e dokumentuar me faturën përkatëse tatimore të blerjes është e rimbursueshme.

Organizatat që i nënshtrohen procedurës së rimbursimit nuk duhet të kryejnë veprimtari ekonomike qoftë edhe dytësore. Ato duhet të jenë qartësisht me qëllim mirëbërës dhe humanitar dhe shpërndajnë falas pa pagesë mallrat që blejnë.

Procedura e rimbursimit

Për të realizuar procedurën e rimbursimit të këtyre organizatave ato i nënshtrohen procedurës së mëposhtme:

Në momentin e eksportit këto organizata duhet të paraqesin pranë autoritetit tatimor, që kryhen procedurat e eksportit, faturat origjinale të blerjes së tyre. Lloji, sasia dhe vlera e mallrave të eksportuara duhet të përputhet me llojin, sasinë dhe vlerën e mallrave të blera sipas faturave tatimore origjinale të blerjes së këtyre mallrave në Shqipëri.

Pasi është kryer eksporti i mallrave për rimbursimi në TVSH-së organizata jofitimprurëse paraqet pranë Drejtorise se Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ku është e regjistruar, kërkesën për rimbursim të TVSH-së dhe bashkangjitur

dokumentacionin si vijon:

– Fotokopje të noterizuar të certifikatës së Nipt-it;

– Fotokopje të noterizuar të faturave origjinale të blerjes;

– Deklaratën e eksportit, në të cilën organizata që kërkon rimbursimin duhet të jetë eksportuesi i mallit;

– Një kopje të noterizuar të marrëveshjes së posaçme me organizatën për të cilën mallrat janë destinuar, e cila duhet të jetë e vendosur jashtë Shqipërisë. Pritësi (destinuesi) i mallit në deklaratën e eksportit dhe organizata, e cila është palë në marrëveshjen e posaçme, duhet të përputhen;

– Një kopje e noterizuar e formularit të plotësuar dhe vulosur nga autoriteti doganor sipas procedurës së mësipërme. Shuma e TVSH-së sipas faturave për të cilat kërkohet të rimbursohet TVSH duhet të jetë e njëjtë me shumën e TVSH-së që rezulton në formularin e plotësuar nga autoriteti doganor në momentin e eksportit të justifikuar me deklaratën doganore të eksportit;

– Një deklaratë ku jep informacion për nr. e llogarisë në të cilën do të rimbursohet TVSH.

BURIMI: Monitor.al

Share this page Share on FacebookShare on TwitterShare on Linkedin