Aktualitetet e anetareve

Komunikim- Shtypi

Publikohet për herë të parë renditja e kompanive më të mëdha të auditimit në vend

Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) ka publikuar për herë të parë renditjen në tregun e Auditimit për personat fizikë dhe personat juridikë të ndarë përkatësisht sipas formës së organizimit, duke konsideruar volumin e të ardhurave nga shërbimet e Auditimit dhe volumin e numrit të klientëve. Publikimi i konsoliduar i renditjes, sipas këtyre dy kritereve, është bërë pavarësisht formës juridike të organizimit.

Bordi vlerëson se i gjithë tregu i auditimit në vend qarkulloi rreth 8 milionë euro për vitin 2019, referuar auditimeve të bilanceve të vitit 2018.

Sipas honorarëve të faturuara për shërbime auditimi, shoqëria më e madhe audituese në vend është “Mazars”, me 8.35% të tregut të auditimit për 2019-n. Më pas, në renditje, vijojnë të mëdhenjtë (Big Four).

“Deloitte Audit Albania” është e dyta, me 8.1% të tregut, sipas honorareve të faturuara për shërbime auditimi. E treta është “Ernst&Young” (7.25%), e ndjekur nga “Grant Thornton” (5.73%) dhe “PriceWaterhouse&Coopers” (5.17%). Të tjerët kanë më pak se 4% të tregut, sipas faturimeve (shiko grafikun: Renditja e shoqërive të Auditimit/Audituesit ligjor sipas honorarëve të faturuara për shërbime auditimi). 

Sipas njësive ekonomike të audituara në vend të parë është sërish “Mazars”, me 5.16%. më pas renditja është tërësisht e ndryshme, teksa të mëdhenjtë e tjerë kanë më pak subjekte në numër, por rezultojnë që i faturojnë më shumë (P.sh. “Deloitte”, që është e dyta për faturimet, renditet e 15-a për numrin e klientëve, ose PriceWaterhouse&Coopers, e pesta për honorarët dhe e fundit për numrin e njësive ekonomike të audituara).

Pas “Mazars”, kompania e dytë më e madhe audituese në vend, sipas numrit të njësive ekonomike të audituara është “ALB BB Auditing Shpk”, me 4.9% dhe i treti, “Albanian Audit Partners Shpk”, me 3.48%. Më pas në renditje vijojnë persona fizikë, Bujar Osmani (3.2%) dhe Gerta Avrami (3%). Për renditjen e plotë shiko grafikun në fund: “Renditja e Shoqërive të Auditimi/Audituesit ligjor sipas njësive ekonomike të audituara”.

Ky publikim është i pari në llojin e tij në 23 vite që ekziston profesioni kontabël.

Sipas raportit vjetor të BMP, Audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit kanë raportuar se kanë realizuar rreth 3111 auditime ligjore të pasqyrave financiare të vitit 2018, krahasuar me të dhënat e deklaruara për auditimet e pasqyrave financiare të vitit 2017, ku audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit kanë audituar 2600 njësi ekonomike. Nga analizimi i këtyre të dhënave na rezulton një rritje në vlerë absolute prej 511 auditime ligjore, apo 19.6%, krahasuar me një vit më parë. Rritja numrit të auditimeve ligjore është reflektuar edhe në rritjen e qarkullimit të realizuar nga angazhimet e auditimit. Kështu, gjatë vitit 2019 është realizuar një qarkullimi i përgjithshëm prej 945 milionë lekësh, krahasuar me 802 milionë lekë qarkullim i përgjithshëm i realizuar në vitin 2018, duke shënuar një rritje prej 17.8%.

Ndërkohë, nuk janë vërejtur ndryshime strukturore në pozicionin e shoqërive të auditimit krahasuar me audituesit ligjorë për sa i përket dominimit të tregut. Gjatë vitit 2019, audituesit ligjorë kanë realizuar një qarkullim vjetor prej rreth 36%, ndërsa shoqëritë audituese kanë realizuar një qarkullim prej rreth 64%, duke ruajtur të njëjtin raport si në vitin e mëparshëm. 

Bordi i Mbikëqyrjes Publike është një ent rregullator i pavarur i ndërtuar në përputhje me kërkesat dhe praktikat e mira të Bashkimit Europian e më gjerë, i cili funksionon me vetëfinancim. Gjatë dy viteve të fundit, Bordi ka shtuar kontrollet për zbatimin e kritereve ligjore tek audituesit ligjorë dhe kontablët e miratuar.

“Gjatë këtyre dy viteve, nga diskutimet dhe komunikimet që kemi pasur me profesionistë të fushës, por edhe me vetë BMP janë ndërmarrë një sërë reformash, të cilat janë shoqëruat me shumë sfida të lidhura sidomos me status quo para ndryshimeve ligjore, që e shndërruan BMP në një institucion funksional”, thonë burimet zyrtare nga Bordi.

Reforma ka pasur si qëllim krijimin e një mjedisi transparent e konkurrues, me rezultat përmirësimin e cilësisë dhe besueshmërisë së raportimit financiar në vend.

Plani që titulli i audituesit të njihet në shtatë shtete të rajonit

Ndërkohë, përveç zhvillimeve në vend, nga diskutimet që janë bërë me kryetarin e BMP, z. Dritan Fino, dhe Drejtorin Ekzekutiv, z. Aldo Spahiu, si objektiv për të ardhmen shihet mundësia e certifikimit rajonal, në 7 shtete, pra një titull profesional rajonal dhe krijimi i Bordit rajonal të Mbikëqyrjes me qëllim ndarjen e eksperiencave dhe praktikave më të mira, por edhe të përdorimit me eficiencë të burimeve të kufizuara. Për këto objektiva, kanë filluar tashmë diskutimet e para me të gjitha shtetet e rajonit. Megjithatë, siç shprehen përfaqësuesit e BMP, realizimi i këtyre objektivave mund të kishte avancuar dhe më shpejt, nëse nuk do kishim hasur në pengesat e shkaktuara nga reforma, si rrjedhojë e reagimeve, të cila kanë krijuar kosto institucionale dhe individuale.

Pavarësisht këtyre reagimeve, BMP shprehet se sfidat për përmirësimin dhe rritjen e imazhit të profesionit, jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë tij, do të vijojnë dhe se reagimet janë dëshmia, që po punohet në drejtimin e duhur e në frymën e institucioneve homologe, që kanë përjetuar sfida të ngjashme gjatë zbatimit të këtyre reformave në vendet e tyre!

 

BURIMI: MONITOR.AL

Share this page Share on FacebookShare on TwitterShare on Linkedin