Aktualitetet e anetareve

Komunikim- Shtypi

Lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i pavarësisë së Gjyqësorit, Shqipëria përmbushi rekomandimet

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, me ftesë të ministres franceze të Drejtësisë, Nicole Belloubet, mori pjesë, si një nga folëset kryesore, në konferencën e nivelit të lartë, e organizuar në Strasburg për 20-vjetorin e GRECO-s, nën kujdesin e Presidencës Franceze.

Konferenca kishte për qëllim diskutimin e rolit të Këshillit të Evropës (GRECO) në luftën kundër korrupsionit dhe prezantimi nga të ftuarit e nderit të arritjeve në vendet e tyre. Ministrja Gjonaj, si një nga të ftuarit e nderit dhe si përfaqësuese edhe e vendit të vetëm nga Ballkani Perëndimor, prezantoi në këtë konferencë arritjet dhe rezultatet e Shqipërisë në luftën korrupsionit.

Të ftuarit e tjerë të nderit në konferencë ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm dhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Sekretari i Shtetit për Drejtësinë i Mbretërisë së Bashkuar, Ministri i Drejtësisë i Gjeorgjisë dhe Sekretari i Shtetit i Drejtësisë së Kroacisë.

Në fjalën e saj, ministrja Gjonaj vlerësoi rolin që Këshilli i Europës dhe mekanizmat e krijuara prej saj, siç është edhe GRECO, luajnë në forcimin e legjislacionit dhe praktikave të mira, në të gjitha vendet anëtare. Ministrja ka vlerësuar veçanërisht rolin që rekomandimet e GRECO kanë luajtur në Shqipëri në forcimin e integritetit të deputetëve, zyrtarëve publik dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ministrja përmendi që falë rekomandimeve të GRECO, Kuvendi arriti të miratonte edhe Kodin e Sjelljes së Deputetëve, si një instrument që përmirëson përgjegjshmërinë e të gjithë deputetëve.

Gjithashtu, Ministrja ka theksuar që Shqipëria ka përmbushur plotësisht një pjesë të rekomandimeve të GRECO veçanërisht ato që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e pavarësisë në sistemin gjyqësor, forcimin e integritetit të nëpunësve të nivelit të lartë dhe agjencive ligjzbatuese, si dhe përmendi rolin që këto rekomandime kanë luajtur në hartimin e ligjeve të reformës në Drejtësi, veçanërisht parimet që lidhen me llogaridhënien e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ministrja i informoi të pranishmit edhe mbi rezultatet e deritanishme të Reformës në Drejtësi, veçanërisht ecurinë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe rezultatet e Taskforcës Kundër Korrupsion, si një nga mekanizmat që synon të luftojë dhe parandalojë korrupsionin në të gjitha nivelet e administrates publike.

Ministrja vuri në dukje që korrupsioni po kthehet gjithmonë e më shumë në një fenomen që përfshin disa vende të ndryshme, veçanërisht në fshehjen e aseteve që burojnë prej tij. Ministrja vlerësoi rolin që ka luajtur deri më tani GRECO në këtë kuadër, por vuri në dukje që gjatë 10 viteve të ardhshme, duhet të nxisë bashkëpunimin ndërmjet vendeve në zbulimin e aseteve kriminale të fshehura në vendet e tjera dhe që kanë prejardhjen nga korrupsioni dhe veprat e tjera penale që lidhen me shpërdorimin e funksioneve publike.

Gjithashtu, Ministrja theksoi që është e nevojshme që vlerësimeve të kryera nga GRECO t’i jepet një rol më të madh nga Komisioni, institucionet e tjera të Bashkimit Europian dhe vendet anëtare, gjatë matjes së performancës së vendeve të rajonit, në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Në përfundim të Konferencës të gjithë pjesëmarrësit, vlerësuan rolin që luan Këshilli i Europës dhe GRECO në luftën kundër korrupsionit dhe praktikat e mira që u sollën nga secili prej të ftuarve të nderit.

 

BURIMI:ATSH

PLUS D'ACTUALITÉS

Share this page Share on FacebookShare on TwitterShare on Linkedin