Komunikim- Shtypi
Industria Tekstile në Shqipëri pas Covid-19: Tre pyetje me Gasmen Toska / MARLOTEX
Intervistë: Tre pyetje me Gasmen Toska / MARLOTEX
CCIFA: Marlotex është një kompani e tekstilit me një gamë të gjerë artikujsh në prodhimin e veshjeve dhe produktet janë të destinuara për në tregun europian.Si mendoni se do të luhasë tregu në industrinë e tekstilit pas situatës së pandemisë COVID-19 në Shqipëri?
G.T: Kriza e ekonomisë botërore do jetë me përmasa të papara. Në këtë kuadër edhe ekonomia Shqiptare do ketë goditje të forta .
Industria e tekstilit në Shqipëri është e bazuar kryesisht në konfeksjonin e artikujve të veshjes dhe ka si treg kryesor Italinë. Fatkeqësisht, në periudhë krize harxhimet për veshje janë ato që ulen më shumë dhe Italia është nga vendet Europiane që vuan më shumë nga kriza.
Kombinimi i këtyre dy elementëve të çon të mendosh që kriza e industrisë së tekstilit në Shqipëri do jetë e madhe.
Pasojat filluan të shihen që në Mars me mbylljen e përkohshme të aktivitetit të shumë firmave të tekstilit në Itali dhe për pasojë të shumë ndërmarjeve të konfeksjonit në Shqipëri.
CCIFA: Sipas jush, cilat janë mënyrat më të mira për të dalë nga kriza?
G.T: Për mua çelësi kryesor për të pasur një shanc për evitimin e kolapsit në periudhë krize është diversifikimi i tregjeve dhe gamës së artikujve.
Për shembull, në rast se një ndërmarje ka 5 tregje të ndryshme, me 5 artikuj të ndryshëm, me 5 organizime të ndryshme ,për 5 klientë të ndryshëm, në 5 zona gjeografike të ndryshme, në parim ajo ka më shumë shance për t'i rezistuar krizës sesa një ndërmarje që ka vetëm një klient, me vetëm 1 artikull.
Për mendimin tim, diversifikimi i aktiviteteve i jep ndërmarjes më shumë elasticitet dhe mundësi manovrimi.
Organizimi i Marlotexit është i bazuar në sisteme vertikale të pavararura, ku çdo treg ka mjetet materiale dhe burimet njerëzore që i përkushtohen atij. Në të njëjtën kohë përpiqemi të ndërtojmë "ura" midis aktiviteteve të ndryshme në mënyrë që të kalojmë një pjesë të personelit nga një aktivitet në tjetrin sipas kërkesave të tregut.
Kjo realizohet nëpërmjet një politike afatgjatë të trajnimit punonjësve dhe rritjes polivalencës në poste të ndryshme pune.
Megjithatë, dua të them që unë e kam të pamundur të parashikoj ecurinë në muajt që do vijnë dhe një bilanc i parë do bëhet në fund të vitit.
CCIFA: Një mesazh për anëtarët e CCI France-Albanie?
G.T: Mesazhi i parë për anëtarët e dhomës sonë është urimi të jenë mirë me shëndet, së bashku me bashkëpunetorët dhe familjet e tyre.
Nën drejtimin e Presidentit tonë Julien Roche, Dhoma jonë është bërë një nga zërat kryesorë të prezencës ekonomike të vendeve të huaja në Shqipëri duke ndihmuar në forcimin e marrdhënieve ekonomike midis Francës dhe Shqipërisë.
Në këto kohë të turbullta që po kalojmë solidariteti midis anëtarëve dhe shkëmbimi i ideve më duken dy rrugë të rëndësishme.
Secili prej nesh, ka një eksperiencë të madhe profesionale.
Ndarja e ideve të secilit për metodat e daljes nga kriza do ishte e dobishme për të gjithë dhe anëtarësia në Dhomën tonë është një ndihmë në këto momente te vështira.