Komunikim- Shtypi

Anija franceze minaheqëse/minakërkuese vizitë portuale në Durrës

– Në vazhdimësi të bashkëpunimit dypalësh me Forcën Detare të Francës për vitin 2019, nga data 06 deri më datë 09 prill anija franceze minaheqëse – minakërkuese CMT Lyre (M 648) do të qëndrojë e ankoruar në Portin Detar të Durrësit.

Anija franceze në port u prit nga komandanti i Grupit të Dytë të anijeve të Forcës Detare, kapiten i rangut III Blerim Hoxha, atasheu ushtarak francez, kolonel Fabrice Duda, kuadro të Forcës Detare si dhe personel i Ambasadës franceze në vendin tonë.

Kjo vizitë ofron një mundësi për trajnimin e personelit sipas standardeve të NATO-s, kryesisht në komunikimin dhe manovrimin e përbashkët. Ardhja e anijes ndihmon edhe për marrje eksperience në kuadër të objektivit të kapaciteteve “Qendra e menaxhimit të luftës kundër minave”. Personeli i Shërbimit Hidrografik, që është përgjegjës për këtë objektiv, zhvilloi një vizitë në bordin e anijes franceze, ku pa nga afër ndërtimin dhe përdorimin e aparaturave që përdoren për këtë qëllim.

Komandanti i anijes franceze, major François Xavier Poisson dhe atasheu ushtarak francez, kolonel Fabrice Duda zhvilluan një vizitë në komandën e Forcës Detare, ku u pritën nga shefi i Shtabit, kapiten i rangut II Sabri Gjinollari. Kapiten i rangut II Gjinollari u uroi mirëseardhjen dhe i falënderoi për bashkëpunimin midis dy forcave detare. Gjatë ditës së sotme zhvilluan edhe një takim me prefektin e Durrësit Roland Nasto, i cili i njohu me zhvillimin e Qarkut, burimet ekonomike dhe pasuritë turistike të Durrësit si dhe me rëndësinë e portit detar në këtë drejtim.

Mëngjesin e datës nëntë prill anija franceze, e shoqëruar nga anije të Forcës Detare do të largohet nga Porti i Durrësit për t’u zhvendosur në Gjirin e Vlorës ku do të zhvillohet një stërvitje nënujore me zhytës nga të dy vendet. Anija CMT Lyre (M 648) do të lërë ujërat shqiptare në mesditë pas përfundimit të stërvitjes.

 

SOURCE: Agjencia Telegrafike Shqiptare (ata)

PLUS D'ACTUALITÉS

Share this page Share on FacebookShare on TwitterShare on Linkedin